Autoritetet italiane kanë zbardhur detaje të një operacioni të rrezikshëm kundër një grupi kriminal të armatosur, i cili u përball drejtpërdrejt me policinë, duke çuar edhe në plagosjen e një efektivi gjatë ndërhyrjes.
Në pranga kanë përfunduar 14 persona, mes tyre edhe tre shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një organizate që po përgatiste një grabitje të armatosur ndaj një furgoni të blinduar që transportonte para. Ngjarja u parandalua në kohë në zonën e Vignola-s, në provincën e Modenës.
Shqiptarët e arrestuar janë Emiliano Smakaj (24 vjeç), Alban Zeneli (33 vjeç) dhe Jurgen Xhixha (33 vjeç). Të gjithë të dyshuarit janë marrë në pyetje në burgun e Modenës nga gjyqtari hetues Andrea Scarpa, ndërsa prokuroria ka kërkuar konfirmimin e masës së arrestit me burg për ta.
Sipas hetimeve, grupi kriminal, i përbërë nga persona nga Foggia, Cerignola dhe Shqipëria, kishte organizuar sulmin ndaj një automjeti të blinduar që transportonte para nga Bolonja drejt zonës së Milanos. Grabitja dyshohet se ishte planifikuar të kryhej në autostradën A1, e njohur si “Autostrada del Sole”.
Operacioni policor u realizua nga disa struktura të specializuara, përfshirë Shërbimin Qendror të Operacioneve, skuadrat mobile të disa qyteteve dhe njësitë speciale, me mbështetje ajrore. Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua një arsenal i konsiderueshëm: katër armë automatike tip “Kalashnikov”, automjete të fuqishme, bidona me benzinë, pajisje për bllokimin e komunikimeve si dhe mjete të tjera që do të përdoreshin për të penguar ndërhyrjen e forcave të rendit.
Hetimet kanë zbuluar se disa nga të arrestuarit janë emra të njohur për drejtësinë italiane, të përfshirë më herët në grabitje të ngjashme dhe ngjarje të rënda kriminale.
Fillimisht dyshohej se grupi merrej me aktivitete droge dhe operonte nga një fermë, por nga zhvillimet e fundit rezulton se ata ishin të specializuar në organizimin e grabitjeve të armatosura ndaj transporteve të parave.
Ndërhyrja në kohë e policisë shmangu një grabitje që mund të kishte pasoja të rënda, duke çmontuar një organizatë të rrezikshme kriminale.