Raketa shpërtheu pak metra larg tij, gazetari i shpëton mrekullisht vdekjes

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.03.2026, 19:47

Një moment dramatik është kapur në video në jug të Libanit, ku gazetari i RT, Steve Sweeney, i shpëtoi për pak një goditjeje me raketë që ra vetëm disa metra larg tij, teksa raportonte nga një zonë e shkatërruar nga sulmet izraelite.

Pamjet tregojnë momentin kur raketa bie pranë tij, duke shkaktuar shpërthim të fuqishëm dhe kaos në vendngjarje, ndërsa gazetari detyrohet të hidhet në tokë për t’u mbrojtur nga fragmentet që fluturojnë në ajër.

Si pasojë e shpërthimit, gazetari dhe operatori i tij, Ali Rida, mbetën të plagosur dhe u transportuan menjëherë në spital. Sipas raportimeve, të dy ndodhen në gjendje të stabilizuar. Pamjet nga spitali tregojnë momentin kur mjekët i heqin copëza metali nga krahu gazetarit.

Operatori Rida ka pretenduar se sulmi ishte i qëllimshëm, duke theksuar se ata mbanin jelekë të dukshëm që identifikonin qartë si media. Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar vazhdimisht se paralajmëron civilët dhe gazetarët përpara çdo sulmi.

Ngjarja vjen në një kohë kur përplasjet në Lindjen e Mesme po i afrohen javës së katërt, pa asnjë shenjë qetësimi. Lebanon mbetet një nga vendet më të goditura, me dëme të mëdha në infrastrukturë, përfshirë banesa, ura dhe rrugë, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, sulmet ajrore izraelite kanë goditur disa zona në jug të vendit, ndërsa numri i viktimave ka kaluar mbi 1,000.

Përshkallëzimi i konfliktit erdhi pasi Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit, duke sjellë një kundërpërgjigje të ashpër me sulme ajrore dhe operacione tokësore nga ana izraelite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit