Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së premtes në Pogradec, ku një automjet është përplasur me një motomjet, duke lënë të plagosur një çift bashkëshortësh.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20 në unazën e qytetit, ku janë përfshirë një makinë me drejtues shtetasin R. Z. dhe një motor që drejtohej nga shtetasi E. Sh.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe bashkëshortja e tij, e cila udhëtonte si pasagjere. Të dy janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, ndaj drejtuesit të automjetit R. Z. do të kryhen veprimet procedurale përkatëse.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.