I përfshirë në kultivim kanabisi, dënohet i riu shqiptar në Angli

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.03.2026, 19:14

Një 24-vjeçar shqiptar ka përfunduar në burg në Angli pasi u përfshi në një “shtëpi bari” me vlerë rreth 100 mijë paundësh në qytetin Barrow.

Sipas mediave britanike, Argjent Dedja u arrestua pasi policia ushtroi kontroll në një banesë me katër dhoma, ku u zbuluan 196 bimë kanabisi, nga të cilat rreth 100 ishin të pjekura dhe gati për treg. Ambienti ishte përshtatur plotësisht për kultivim, me ndriçim special dhe sistem ventilimi, ndërsa energjia elektrike ishte marrë në mënyrë të paligjshme.

Gjatë operacionit, i riu është parë duke u larguar nga banesa gjysmë i zhveshur, në drejtim të një shkolle pranë, por u arrestua menjëherë nga policia.

Në dëshminë e tij, Dedja ka deklaruar se kishte hyrë në Britani me varkë tre vite më parë, pasi kishte paguar 10 mijë euro për trafikimin nga Shqipëria përmes Italisë dhe Francës. Ai pretendoi se nuk kishte dijeni për aktivitetin kriminal dhe se kishte akses vetëm në dhomën ku flinte, kuzhinë dhe banjo.

Megjithatë, gjykata vlerësoi se ai kishte rol, edhe pse të kufizuar, në një aktivitet të mirëorganizuar për prodhimin e kanabisit në shkallë industriale.

Gjykata vendosi dënimin me 12 muaj burg, duke theksuar se ekzistonte rrezik i lartë për përsëritje të veprave penale. Përveç kësaj, 24-vjeçari u urdhërua të paguajë edhe 400 paund shpenzime gjyqësore dhe një tarifë shtesë prej 187 paundësh.

Ndërkohë, policia ka kërkuar edhe asgjësimin e lëndëve narkotike dhe pajisjeve të sekuestruara në banesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit