Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, ka shpallur listën me 26 futbollistë të grumbulluar, një përzierje mes rikthimesh të rëndësishme, mungesash të detyruara dhe emrash të rinj që synojnë të japin kontributin e tyre.
Në portë, zgjedhjet kanë rënë mbi Thomas Strakosha, së bashku me Elhan Kastratin dhe Mario Dajsinanin e Egnatias.
Reparti i mbrojtjes ndërthur eksperiencën me elementë të rinj, ku spikasin emra si Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu, të plotësuar nga lojtarë si Arlind Ajeti, Adrian Ismajli, Klisman Cake, Mario Mitaj, Naser Aliji, si dhe risitë Bujar Pllana dhe Stavro Pilo.
Në mesfushë, përzgjedhjet përfshijnë Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Nazmi Gripshi, Jasir Asani dhe Arbër Hoxha. Rikthim i rëndësishëm është edhe ai i Anis Mehmeti, i cili i kishte munguar Kombëtares për tre vite.
Një tjetër rikthim i bujshëm është ai i Ernest Muçi, që i bashkohet repartit ofensiv ku bëjnë pjesë Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Nedim Bajrami.
Ndërkohë, në këtë listë bien në sy mungesat e Rey Manaj dhe Mirlind Daku, të cilët nuk janë grumbulluar për shkak dëmtimesh.
Shqipëria do të përballet me Poloninë më 26 mars në Varshavë, në orën 20:45. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të hedhin një hap vendimtar drejt finales së madhe, ku i pret fituesi i çiftit Ukrainë–Suedi.