Shoqatat që duhet të shpëtojnë kafshët, po i blejnë nga abuzuesit?

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.03.2026, 21:28

Një fenomen shqetësues po merr përmasa alarmante në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe integritetin e disa shoqatave që pretendojnë të mbrojnë kafshët. Në vend që të jenë një strehë shpëtimi për kafshët e braktisura dhe të dhunuara, ka raste kur këto struktura dyshohet se janë kthyer në pjesë të problemit.

Burime për JOQ, bëjnë me dije se disa individë apo grupe të vetëquajtura “shoqata për mbrojtjen e kafshëve” blejnë kafshë të gjymtuara apo të keqtrajtuara drejtpërdrejt nga pronarët abuzues. Një praktikë e tillë jo vetëm që është moralisht e papranueshme, por krijon një cikël të rrezikshëm: abuzuesit përfitojnë financiarisht dhe inkurajohen të vazhdojnë të njëjtën sjellje.

Në vend që këto raste të denoncohen pranë autoriteteve dhe autorët të përballen me ligjin, kafshët “shpëtohen” përmes pagesave, duke e kthyer abuzimin në një burim fitimi.

Problemi bëhet edhe më i rëndë nga mungesa e mekanizmave të fortë mbikëqyrës. Aktualisht, duket se nuk ka një kontroll të qartë dhe të vazhdueshëm mbi aktivitetin e këtyre shoqatave: si trajtohen kafshët dhe mbi çfarë kriteresh ndërhyhet në raste abuzimi. Kjo hap derën për abuzime të dyfishta ndaj kafshëve dhe ndaj besimit të qytetarëve që kontribuojnë me donacione.

Sipas aktivistëve, çdo rast abuzimi duhet të referohet tek organet ligjzbatuese dhe jo të “zgjidhet” me pagesa nën dorë. Përndryshe, krijohet një treg i heshtur ku dhuna ndaj kafshëve shpërblehet.

Ky fenomen kërkon vëmendje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse. Nëse nuk ndërhyhet tani, rrezikojmë që mbrojtja e kafshëve të kthehet në një biznes të errët, ku viktimat janë pikërisht ato që nuk kanë zë: kafshët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit