Në Kampionatin Botëror të Atletikës në sallë të mbyllur që po zhvillohet në Poloni, Shqipëria po përfaqësohet denjësisht nga Franko Burraj, i cili ka arritur një rezultat të rëndësishëm në garën e 400 metrave.
Atleti shqiptar garoi në baterinë e pestë, ku u rendit në vendin e tretë me kohën 46”57’, duke vendosur një rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë. Një performancë që jo vetëm konfirmon formën e tij të mirë, por edhe rrit pritshmëritë për fazat në vijim.
Falë këtij rezultati, Burraj arriti të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale, duke përfituar nga rregullorja që lejon kalimin e dy vendeve të para të çdo baterie, si dhe katër kohëve më të mira nga atletët e tjerë.
Atleti shkodran pritet të rikthehet në pistë gjatë mbrëmjes, ku do të garojë në gjysmëfinale me synimin për të vazhduar paraqitjen pozitive dhe për të përmirësuar më tej rezultatet.
Paraqitja e Franko Burraj në këtë kompeticion vlerësohet si një sukses i rëndësishëm për atletikën shqiptare, duke dëshmuar progresin e tij dhe potencialin për të konkurruar në nivele gjithnjë e më të larta ndërkombëtare.