Një shpenzim prej 12 mijë eurosh për një çantë luksi është kthyer në një nga episodet më të diskutuara të dosjes së SPAK ndaj ish-deputetes Monika Kryemadhi. Në një realitet ku shumë familje shqiptare e kanë këtë shumë si buxhet vjetor jetese, rasti ka ndezur reagime të forta publike.
Sipas dokumenteve të siguruara nga hetimi, Kryemadhi rezulton të ketë kryer një pagesë prej 12 mijë eurosh në një butik në San Marino, përmes një karte “American Express”. Transaksioni lidhet me një blerje të realizuar më 25 shtator 2014, ndërsa në ekstraktet bankare të kompanisë përkatëse evidentohet një arkëtim me POS në të njëjtën vlerë, i kredituar një ditë më pas.
Nga komunikimet e zbardhura në aplikacionin WhatsApp me shtetasin Adrian Shatku, konfirmohet se pagesa është kryer me sukses. Në bisedë, Kryemadhi kërkon që karta të mbetet aktive për çdo rast, ndërsa i përgjigjet se kishin menduar se karta ishte amerikane dhe nuk kishte kuptim të ishte njëkohësisht “e zezë” dhe e mbyllur.
Për këtë çështje, autoritetet shqiptare i janë drejtuar me letërporosi institucioneve të San Marinos, duke kërkuar verifikimin e transaksioneve të kryera në dyqanin përkatës në intervalin kohor 16:00–19:00 të asaj date. Përgjigjja konfirmoi se në atë ditë është regjistruar vetëm një pagesë prej 12 mijë eurosh, që përputhet me të dhënat e hetimit dhe komunikimet e zbuluara.
E ftuar në një intervistë për mediat, Kryemadhi dha versionin e saj për këtë blerje, duke theksuar se nuk ishte një shpenzim personal, por një porosi për një familjar.
Monika Kryemadhi: “Unë kam blerë një çantë dhe një peliçe 12 mijë euro për gruan e kushëririt të cilat i kishte porositur. Një çantë Hermes për gruan e vet, dhe një peliçe që e kishte porositur nuk shkonte dot dhe ja kam marrë unë dhe ja kam sjellë. Dhe nuk i kam marrë në San Marino por i kanë sjellë në San Marino, nuk shkonte dot ishte në Shqipëri dhe ja kam marrë unë ja kam sjellë. Nuk e kam blerë unë.”
Në të njëjtën intervistë, ajo foli edhe për marrëdhënien me ish-bashkëshortin Ilir Meta, duke zbuluar detaje nga komunikimet e sekuestruara.
Monika Kryemadhi: “Unë kam të gjitha analizat financiare të të gjitha kompanive dhe bizneseve. SPAK-u më prishi familjen, ti thuash bashkëshortit që gruaja jote të ka shitur ty. Nuk kam më asnjë raport, qoftë politik apo emocional me Metën. Jam vetëm në raport me fëmijët. Unë, jo vetëm Metës, por kujtdo njeriu nuk i fal kurrë mungesën e besimit që kishin ndaj meje. Nuk do ta pranoja kurrë që besimin e Metës ndaj meje ta thyente një njeri kalimtar në jetën e tij. Nuk kam vendosur kurrë në dyshim asnjë vendim të tij. Unë Ilir Metën e kisha regjistruar me emrin ‘zemra ime’, kurse Metës i kishin thënë që Monika ka dashnor, ka të dashur. Kur e lexoi prokurori që numri i regjistruar si ‘zemra ime’ ishte Ilir Meta, ngelën të gjithë. Ilir Meta besoi më shumë rrethin e tij shoqëror sesa mua.”
Ndërkohë, më 19 mars, GJKKO vendosi kalimin për gjykim të dosjes që përfshin Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe persona të tjerë, në kuadër të hetimeve për çështje si CEZ-DIA, lobimi në SHBA dhe hetimi pasuror.
Meta akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion, akuza që rëndojnë edhe mbi Kryemadhin. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Rasti i çantës prej 12 mijë eurosh mbetet një nga simbolikat më të forta të kontrastit mes luksit dhe realitetit ekonomik në vend, duke ushqyer debatin publik mbi pasurinë, përgjegjësinë dhe drejtësinë.