Bandat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar kanë përmirësuar dhe ashpërsuar mënyrat e tyre të veprimit, duke synuar tashmë fëmijë të klasës së mesme “nga familje të rregullta” që “shkojnë mirë në shkollë”. Sipas një investigimi të The Times, metodat e rekrutimit janë bërë më agresive: dikur fëmijëve u ofroheshin vetëm telefona dhe atlete, ndërsa tani shpërblimet mund të përfshijnë makina dhe 5.000 paund.
Bandat kanë konsoliduar kontrollin mbi tregjet e drogës, duke shitur kokainë pluhur, heroinë, kanabis dhe MDMA përmes linjave “county lines” dhe aplikacioneve të koduara të mesazheve. Djem adoleshentë dhe persona vulnerabël përdoren për të transportuar drogë nga zonat qendrore drejt periferive, ndërsa shitësit kanë krijuar edhe 500 “linja të rrjeteve sociale” për shpërndarjen e drogës tek përdoruesit e klasës së mesme.
Sipas artikullit investigativ, dhjetë vjet pas ngritjes së alarminit për fenomenin “county lines” nga Agjencia Kombëtare e Krimit, ekzistojnë mbi 6.500 linja aktive, pavarësisht se dhjetëra milionë paund janë shpenzuar për të mbyllur rreth 10.000 linja dhe për të arrestuar 30.000 të dyshuar. Shitësit po qëndrojnë një hap përpara policisë duke orientuar veprimtarinë drejt përdoruesve të klasës së mesme, që blejnë drogë për festa online përmes telefonave inteligjentë.
Fenomeni nuk prek vetëm tregtinë e drogës: ai ushqen sjellje antisociale, dhunë dhe rrezikon jetën e të rinjve. Kriminologu Simon Harding paralajmëron se shfrytëzimi i djemve adoleshentë për qëllime kriminale është po aq serioz sa shfrytëzimi seksual i vajzave, dhe mund të ketë pasoja fatale. Punonjësit socialë raportojnë raste ku materialet komprometuese përdoren për t’i mbajtur të rinjtë të lidhur me bandat, duke i bllokuar dhe duke i detyruar të transportojnë drogë dhe armë.
Sipas The Times, mbi 14.500 fëmijë aktualisht janë në rrezik shfrytëzimi kriminal, por shifra reale mund të jetë edhe më e lartë. Phenomeni i “county lines” ka krijuar konflikt për territor, rrit dhunën dhe ka transformuar mënyrën si bandat përdorin teknologjinë për të manipuluar dhe përfituar nga të rinjtë, duke e bërë përballimin e tij një sfidë të madhe për autoritetet.