Media italiane ka hedhur dritë mbi një përplasje të fortë mes kapitenit të Shqipërisë, Berat Gjimshiti, dhe zëvendëstrajnerit serb të Inter, Aleksandar Kolarov, pas tensioneve që shpërthyen në përfundim të barazimit të javës së kaluar mes Atalanta dhe kryesuesve të drejtuar nga Kristian Chivu.
Në kaosin e krijuar pas ndeshjes, ku u përfshinë disa lojtarë dhe që çoi deri në pezullimin e trajnerit të Interit, një nga përplasjet më të forta ishte ajo mes Kolarovit dhe mbrojtësit kuqezi Gjimshiti.
Sipas pamjeve të kapura nga kamerat e arbitrit dhe të shpërndara më pas në rrjet, dëgjohet Gjimshiti t’i drejtohet Kolarovit me fjalët: “Eja ta zgjidhim në tunel. Eja ta provosh aty…”.
Dyshohet se situata është ndezur nga një provokim i Kolarovit, ndërsa Gjimshiti është njohur gjatë gjithë karrierës për qetësinë dhe korrektësinë e tij. Madje, ai nuk ka shfaqur asnjëherë prirje nacionaliste, pavarësisht faktit se bashkëshortja e tij është serbe.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që përplasje të tilla ndodhin mes futbollistëve shqiptarë dhe serbë në Serie A. Një nga rastet më të bujshme mbetet ai mes Igli Tare dhe të ndjerit Sinisha Mihajloviç, ku tensionet arritën kulmin dhe përfunduan me pasoja fizike, pasi Tare i shkaktoi plagë të dukshme në qafë Mihajloviçit.