Erdogan: Zoti e shkatërroftë Izraelin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.03.2026, 13:43

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka ashpërsuar ndjeshëm tonin ndaj Izraelit, duke artikuluar disa nga deklaratat më të forta të tij deri më tani kundër këtij shteti.

“Ai, i Gjithëpushtetshmi, e shkatërroftë Izraelin”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në Rize, në rajonin e Detit të Zi, në përfundim të një lutjeje me rastin e mbylljes së Ramazanit.

Në vijim të deklaratës së tij, Erdogan akuzoi Izraelin për vrasjen e qindra mijëra njerëzve, duke theksuar se “nuk kam dyshim se do ta paguajë çmimin”.

Presidenti turk përdori gjithashtu termin “Kahhar”, një prej cilësimeve të Zotit në traditën islame, i përkthyer zakonisht si “i Gjithëpushtetshmi” apo “ai që sundon mbi gjithçka”.

Lutja e tij përfshinte edhe një mesazh të drejtpërdrejtë politik, teksa u shpreh: “Zoti na mbroftë dhe na ruajtë sa më shpejt të jetë e mundur nga fatkeqësia sioniste”.

Këto deklarata vijnë në një moment të rrallë konsensusi në skenën politike turke, ku si mazhoranca, ashtu edhe opozita kanë kundërshtuar menjëherë sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, duke kërkuar rikthim në rrugën e diplomacisë.

Ankaraja ka kritikuar vazhdimisht sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Teheranit, duke i konsideruar ato shkelje të sovranitetit të Iranit. Megjithatë, ajo është distancuar edhe nga disa kundërpërgjigje iraniane ndaj objektivave amerikane në Gjirin Persik.

Ky qëndrim reflekton një balancë të kujdesshme të politikës turke: nga njëra anë, një retorikë gjithnjë e më e ashpër ndaj Izraelit; nga ana tjetër, një apel zyrtar për ulje tensionesh dhe zgjidhje përmes diplomacisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit