Ai vendosi të paraqitet vetë në polici pas raportimeve se rezultonte pronar i një objekti të përshtatur si “shtëpi bari”, e zbuluar në zonën e Peqinit. Megjithatë, pas dorëzimit, Hasa ka mohuar akuzat e ngritura në njoftimin zyrtar, duke deklaruar se objekti administrohet nga vëllai i tij, Romario Hasa.
Sipas deklarimeve të tij, prej muajsh nuk kishte frekuentuar ambientin dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin që mund të zhvillohej aty. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur vëllai i tij, si dhe një punonjës i OSHEE-së, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë rast.
Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht rrjetin e kultivimit të lëndëve narkotike.
Një ditë më parë, policia sekuestroi rreth 4 mijë bimë kanabisi në dy magazina në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, në Peqin. Gjatë ndërhyrjes nuk u gjet asnjë person brenda ambienteve, ndërsa pronësia e magazinave rezultonte në emër të Hasës.
Pas këtij zhvillimi, ai u shpall në kërkim dhe u pezullua nga detyra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përpara se të vendoste të vetëdorëzohej.