Makinat “aziatike” pushtojnë tregun shqiptar, Koreja dhe Kina lënë pas Europën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.03.2026, 09:37

Harta e importit të automjeteve në Shqipëri ka pësuar ndryshime të ndjeshme gjatë tre viteve të fundit. Konsumatorët shqiptarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt tregjeve aziatike për blerjen e makinave, duke u distancuar nga Italia dhe Gjermania, të cilat deri në vitin 2023 ishin burimet kryesore të furnizimit.

Në vitin 2024, Koreja e Jugut u rendit për herë të parë si vendi kryesor i origjinës së automjeteve të importuara në vend, duke zënë rreth 20% të totalit, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Ky trend vijoi edhe në vitin 2025, kur u regjistruan për herë të parë 21.2 mijë mjete nga ky shtet, që përbënin 21% të totalit. Për krahasim, në vitin 2021 numri i automjeteve nga Koreja e Jugut ishte vetëm 1.2 mijë. Rritja e interesit lidhet kryesisht me ofertën më ekonomike të këtyre mjeteve, edhe pse kostot e transportit janë më të larta.

Ndërkohë, në muajt e parë të vitit 2026 vihet re një tjetër zhvillim: rritja e ndjeshme e importeve nga Kina. Gjatë periudhës janar–shkurt u regjistruan 2253 automjete me origjinë nga ky vend, që përfaqësojnë rreth 16% të totalit. Në të gjithë vitin 2025, ky numër ishte 9126 mjete, ose 9.2% e totalit, duke e renditur Kinën në vendin e katërt pas Koresë së Jugut, Gjermanisë dhe Italisë.

Kjo rritje lidhet kryesisht me kërkesën në rritje për automjete elektrike. Mjetet e prodhuara në Kinë ofrohen me çmime më konkurruese krahasuar me tregjet europiane dhe rezultojnë më ekonomike në përdorim krahasuar me automjetet me naftë apo benzinë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar për herë të parë 1712 automjete elektrike, që përbëjnë 12% të totalit, si dhe 608 mjete hibride. Në vitin 2025, pjesa e automjeteve elektrike ishte vetëm 5.7%.

Në përgjithësi, regjistrimet e reja të automjeteve kanë shënuar rritje. Gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë regjistruar mesatarisht rreth 100 mijë mjete në vit. Në vitin 2025, numri total i automjeteve në qarkullim në Shqipëri tejkaloi për herë të parë 1 milion, nga të cilat rreth 850 mijë janë autovetura.

Edhe në fillim të vitit 2026, trendi mbetet pozitiv: në janar dhe shkurt janë regjistruar 14 mijë mjete të reja, një rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Koreja e Jugut vazhdon të kryesojë listën e vendeve të origjinës, duke forcuar më tej pozitat me 3526 mjete, ose 25% të totalit. Kina renditet e dyta, ndërsa pas saj vijnë Gjermania dhe Italia.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së automjeteve elektrike, tregu vijon të dominohet nga makinat me naftë, të cilat përbënin 52% të mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë dy muajve të parë të vitit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit