Një paralajmërim serioz ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një shqiptar që jeton në Varshavë, vetëm 6 ditë para ndeshjes gjysmëfinale të “play-off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2026 mes Shqipërisë dhe Polonisë, e cila do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin PGE Narodowy.
Sipas tij, në rrjete sociale dhe në grupe të ndryshme po qarkullojnë thirrje shqetësuese për përplasje mes tifozërive, ndërsa përflitet për një koordinim mes grupeve ultras polakë për të sulmuar tifozët shqiptarë jashtë stadiumit. Ai u bën thirrje bashkatdhetarëve që do të udhëtojnë drejt Polonisë të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo situatë të rrezikshme.
Ky tension nuk vjen pa një histori të afërt përplasjesh. Më 29 gusht 2025, gjatë ndeshjes mes Dinamo City dhe Jagiellonia Białystok në Tiranë, situata degradoi në incidente serioze mes tifozëve.
Fillimisht, një grup tifozësh polakë u përfshinë në veprime provokuese, duke përdhosur simbole kombëtare shqiptare pranë bustit të Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe duke shfaqur pankarta me mesazhe ekstremiste si “Kosova është Serbi”. Këto veprime shkaktuan reagime të forta te qytetarët dhe tifozët vendas.
Pas këtyre provokimeve, situata u përshkallëzua më tej. Sipas raportimeve të asaj kohe, disa tifozë shqiptarë arritën të kapnin një prej huliganëve dhe e dhunuan, ndërsa gjatë natës u sulmua edhe autobusi i tifozëve të ekipit polak.
Këto episode duket se kanë mbetur të freskëta në kujtesën e tifozërive dhe po përdoren nga disa media dhe grupe ultras për të rritur tensionin përpara përballjes së 26 marsit.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se autoritetet polake zakonisht marrin masa të forta sigurie për ndeshje të tilla me risk të lartë, dhe pritet një prani e shtuar policore për të parandaluar çdo incident.
JOQ Albania publikon këtë paralajmërim si të pakonfirmuar, por u bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë që do të ndjekin ndeshjen në Poloni të tregojnë maturi, të shmangin provokimet dhe të respektojnë rregullat e sigurisë, në mënyrë që një ngjarje sportive të mos kthehet në një incident të rrezikshëm.