Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një incident të ndodhur në lokalin e tij në zonën e Selvisë, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme.
Sipas tij, rreth orës 06:00 është njoftuar nga pastruesja se xhami i biznesit ishte thyer. Fillimisht ka menduar se mund të ishte shkaktuar nga era apo ndonjë faktor i rastësishëm, pasi pretendon se nuk ka konflikte apo probleme me askënd.
Por pasi ka kontrolluar kamerat e sigurisë, ai thotë se ka vënë re një person të paidentifikuar, i veshur me kapuç dhe pjesërisht i mbuluar, që lëviz në mënyrë të dyshimtë pranë lokalit. Për shkak të errësirës, momenti i saktë i thyerjes së xhamit nuk dallohet qartë, por dyshohet se autori është i njëjti person.
Qytetari shprehet se nuk ka dijeni për arsyet e këtij veprimi dhe i bën thirrje publike personit në fjalë që të paraqitet vetë, të japë shpjegime dhe të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar.
Në të kundërt, ai paralajmëron se do t’i drejtohet organeve të rendit për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore.
JOQ Albania publikon këtë denoncim si të pakonfirmuar dhe inkurajon autoritetet përkatëse që të verifikojnë rastin, ndërsa mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim nga palët e përfshira.