“Drejtoresha me qira” e Edi Ramës: Mirlinda Karçanaj ka 4 apartamente

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.03.2026, 20:44

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama pak kohë më parë, ku ai i doli në mbrojtje ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke pretenduar se ajo jeton në një shtëpi me qira, ka rënë ndesh me faktet zyrtare të siguruara nga verifikimet e fundit.

Ndërsa kreu i qeverisë u përpoq të krijonte imazhin e një zyrtareje modeste që nuk ka përfituar nga posti i saj, të dhënat e siguruara nga ILDKPI tregojnë një realitet krejt tjetër pasuror.

Karçanaj, e cila aktualisht ndodhet nën masën e "arrestit në shtëpi" për shkak të hetimeve të SPAK mbi një grup të strukturuar kriminal dhe shkelje të barazisë në tendera, rezulton se zotëron një portofol pronash të paluajtshme që përfshin katër apartamente dhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke.

Sipas analizës së deklaratave të saj pasurore gjatë dy dekadave të fundit, rritja e pronave të saj ka qenë sistematike dhe mjaft e dukshme, sidomos pas marrjes së detyrës në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në vitin 2013.

Verifikimet tregojnë se ajo zotëron dy apartamente në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj dhe dy të tjera në pronësi të plotë, krahas një ullishteje prej 1,500 metra katrorë. Një prej këtyre pronave është një apartament i madh 136 m² në Tiranë, i cili ndonëse u deklarua i blerë për 65 mijë euro në vitin 2016, brenda një viti pësoi një rivlerësim galopant duke arritur vlerën e rreth 240 mijë eurove.

Po ashtu, Karçanaj zotëron një apartament tjetër 94 m² në kryeqytet, një shtëpi pushimi në zonën e Qerretit dhe një tjetër njësi banimi të përfituar përmes trashëgimisë në vitin 2022.

Kjo panoramë pasurore rrëzon plotësisht narrativën e Kryeministrit, i cili e cilësoi atë si një zyrtare që gëzon "respekt të padiskutueshëm" dhe që jetonte deri vonë me prindërit në një banesë të kohës së komunizmit.

Ironia e "shtëpisë me qira" u bë akoma më e fortë në rrjetet sociale, ku u sugjerua me sarkazëm hapja e fushatave ndihmëse për drejtoreshën, ndërkohë që dosja e SPAK prej 206 faqesh përshkruan një skemë të mirëorganizuar zhvatjeje të qindra milionë eurove nga tenderat publikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit