“Na jepni 10,000 euro, ose gjobë ligjore 37,000 euro,” bizneset në Golem denoncojnë: Po kërcënohemi nga inspektorët e UKT!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.03.2026, 20:01

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga zona e Golemit, ku disa biznese pretendojnë se po përballen me presion dhe kërkesa të paligjshme për para nga persona që prezantohen si inspektorë të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT).

Sipas qytetarit që ka kontaktuar me redaksinë, i cili kërkon të mbetet anonim për arsye sigurie, disa struktura akomoduese në zonë janë vënë përballë një “zgjedhjeje”: ose të paguajnë shuma të konsiderueshme parash në mënyrë informale, ose të përballen me gjoba shumë të larta që lidhen me impiantet e ujërave të zeza.

Denoncuesi pretendon se këto kontrolle po zhvillohen në mënyrë të përsëritur në hotele dhe biznese të ndryshme në Golem, ndërsa shpreh frikën se çdo reagim apo denoncim i drejtpërdrejtë mund të sjellë pasoja për aktivitetin e tij ekonomik.

Ai thekson se nuk disponon prova filmike, pasi sipas tij, një veprim i tillë mund ta ekspozojë ndaj ndëshkimeve të menjëhershme. Megjithatë, kërkon që institucionet dhe organet përgjegjëse të verifikojnë situatën në terren, duke pohuar se fenomeni është i njohur nga shumë biznese në zonë.

JOQ Albania e trajton këtë denoncim si të pakonfirmuar dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të kryejnë verifikimet përkatëse për të sqaruar situatën.

Raste të tilla, ku bizneset pretendojnë se përballen me gjobvënie apo presione nga inspektorë të ndryshëm, nuk janë të pazakonta në vendin tonë. Prej vitesh janë raportuar dhjetëra raste të ngjashme, duke e kthyer këtë fenomen në një problem serioz dhe të përhapur, që dëmton klimën e biznesit dhe besimin te institucionet.

Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, atëherë bëhet fjalë për një skemë të rëndë abuzimi me detyrën dhe shfrytëzim të bizneseve për përfitime personale.

JOQ Albania mbetet e hapur për çdo reagim nga institucionet përkatëse, si dhe për çdo sqarim apo qëndrim zyrtar mbi këtë çështje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit