Pas shpalljes në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike, Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëdorëzuar në ambientet e Policisë së Elbasanit. Dorëzimi i tij vjen si rrjedhojë e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, i cili zbuloi një laborator modern kanabisi në një magazinë në pronësi të zyrtarit të lartë.
Ndonëse pronar i ambientit ku u gjetën 4000 rrënjë kanabis, Hasa ka zgjedhur të mbajë një qëndrim mohues përpara hetuesve. Burimet bëjnë me dije se menjëherë pas dorëzimit, ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë dijeni për aktivitetin kriminal që zhvillohej në bodrumin e magazinës së tij, duke pretenduar se nuk e kishte vizituar pronën në fjalë prej muajsh.
Operacioni nuk është ndalur vetëm te drejtori i burgut. Policia ka shpallur në kërkim edhe Ervis Macin, përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, i cili akuzohet për "Shpërdorim detyre". Dyshohet se zyrtari i energjisë elektrike ka mbyllur sytë para konsumit të lartë të energjisë që kërkonin 4000 rrënjët e kanabisit dhe pajisjet ndihmëse si llambat e neonët.
Aktualisht, Bilal Hasa ndodhet nën arrest, ndërsa Prokuroria e Elbasanit po vijon hetimet intensive për të zbardhur nëse ka zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, që kishte kthyer një magazinë shtetërore në një fabrikë të mirëfilltë droge.