40 nga 61 bashki nën hetim! Tenderat korruptivë fundosin kryebashkiakët në Shqipëri

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.03.2026, 17:50

Nga 61 bashki në Shqipëri, 40 janë ose kanë qenë aktualisht nën hetim penal nga SPAK, kryesisht për abuzime me tenderat e investimeve lokale. Gjatë viteve të fundit, 16 kryebashkiakë ose ish-kryebashkiakë janë përballur me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa tenderi për ujësjellësin e Memaliajt, me një fond prej rreth 493 milionë lekësh, është vetëm një nga rastet e dokumentuara. Përveç tij, abuzimet më të shpeshta janë evidentuar te tenderat për rikonstruksionin e rrugëve lokale dhe investimet në shkolla dhe infrastrukturë, ku procedurat shpesh manipuloheshin që në fazën e përgatitjes së dokumentacionit.

Sipas SPAK, procesi i prokurimit manipuloheshin në çdo fazë, nga specifikimet teknike deri tek përllogaritja e fondeve, duke favorizuar operatorë të caktuar dhe duke skualifikuar konkurrentët e tjerë. Në total, detyrimet e prapambetura të 61 bashkive arritën rreth 3.2 miliardë lekë (33 milionë euro), ndërsa 14 bashki rritën borxhin gjatë vitit 2024, dhe katër bashki Kavajë, Vorë, Cërrik dhe Dimal konsiderohen në vështirësi të mëdha financiare. Ekspertët e administratës vendore theksojnë se korrupsioni është i strukturuar dhe përfshin nivele të ndryshme të administratës, duke e bërë pushtetin lokal të paqëndrueshëm dhe shërbimet ndaj qytetarëve të pamjaftueshme.

Eksperienca europiane tregon se reduktimi i korrupsionit kërkon kombinimin e transparencës financiare, administratës profesionale dhe institucioneve të pavarura të kontrollit, dhe jo vetëm ndëshkime penale. Ndërkohë, në Shqipëri, SPAK ka detyruar frikën të hyjë në zyrat e bashkive, por qytetarët vazhdojnë të vuajnë nga investime të paplota dhe shërbime të mangëta. Tenderat që duhej të siguronte ujë, rrugë dhe shkolla, shpesh përfunduan në skema korrupsioni, duke treguar se për të shpëtuar pushtetin lokal, nuk mjafton vetëm prokuroria nevojiten bashki të mira, me institucionet që qytetarët t’i shohin si zgjidhje, jo si problem.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit