Rreth 4 mijë bimë kanabis sativa janë zbuluar këtë të enjte në një banesë në një fshat të Peqinit. Sipas të dhënave paraprake, prona dyshohet të jetë në pronësi të Bilal Hasës, drejtor i Burgut të Rrogozhinës, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se FNSH dhe efektivët e policisë kanë rrethuar menjëherë zonën dhe burgun e Rrogozhinës dhe, në bashkëpunim me grupin hetimor, po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Gjatë kontrollit, është konstatuar një ambient i përshtatur posaçërisht për kultivimin e lëndëve narkotike, ku janë sekuestruar mijëra rrënjë kanabisi. Burime zyrtare bëjnë me dije se aktiviteti i paligjshëm dyshohet të jetë zhvilluar brenda kësaj banese, ndërsa autoritetet janë në kërkim të pronarit të dyshuar.
Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën e funksionimit të këtij aktiviteti dhe persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.