Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të enjte kalimin për gjykim të dosjes që lidhet me vrasjen e Fatbardh Licit. Kërkesat e avokatëve të Safet Bajrit, Behar Bajrit, Astmer Bilalit dhe Eria Agos për pushimin e çështjes ose kthimin e akteve për plotësim hetimesh nuk janë pranuar.
Sipas mbrojtjes, për këtë çështje ka pasur më herët pezullim të hetimeve nga prokurori të tjera për shkak të mungesës së provave. Megjithatë, GJKKO ka vendosur që procesi të vijojë në fazën e gjykimit.
Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK më 21 shkurt 2025, ndërsa ai dhe anëtarë të grupit të tij dyshohen për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit. Ky i fundit ishte vëllai i Mustafa Licit, babai i Ibrahim dhe Hamza Licit, ky i fundit i ekzekutuar me armë zjarri më 10 gusht 2018 në zonën e Kirasit, në Shkodër.
Fatbardh Lici, 53 vjeç, dyshohet se është bërë viktimë e konfliktit të gjatë mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër. Ndërkohë, Safet Bajri nuk është i panjohur për drejtësinë, pasi më herët është ndaluar gjatë operacionit “Oaz” nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por më pas është liruar.
Ai rezulton gjithashtu i dënuar në Belgjikë, ndërsa së fundmi banesa e tij në Dobraç është kontrolluar disa herë me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve të ndryshme penale që vijojnë ndaj tij.