Shqiptarët anulojnë 70% të rezervimeve për Dubai, braktisen dhe pushimet drejt Turqisë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.03.2026, 20:08

Pasiguria që ka mbërthyer Lindjen e Mesme ka goditur si rrufe tregun e udhëtimeve në Shqipëri, duke sjellë një përmbysje drastike të planeve për mijëra qytetarë. Vetëm brenda dhjetë ditëve të para të tensionimit të situatës gjeopolitike, agjencitë turistike raportojnë një valë masive anulimesh që ka prekur veçanërisht destinacionet elitare. Emiratet e Bashkuara Arabe, me Dubain si kryefjalë, kanë parë një rënie të frikshme prej 70% të kërkesave, ku vetëm në një hark kohor shumë të shkurtër llogaritet të jenë tërhequr rreth 2000 udhëtarë që kishin planifikuar fluturimet drejt gjirit.

Ky fenomen nuk është thjesht një mungesë dëshire për të pushuar, por një frenim i menjëhershëm i diktuar nga frika dhe paqartësia se si do të rrjedhin ngjarjet. Ekspertët e fushës shpjegojnë se konsumatori shqiptar po zgjedh të "ngrijë" vendimmarrjen, duke preferuar të presë sesa të rrezikojë udhëtimet drejt zonave që gjeografikisht ndodhen pranë vatrave të konfliktit. Edhe Turqia, e cila mbetet tradicionalisht "Meka" e turizmit veror për shqiptarët, po ndjen peshën e kësaj pasigurie. Rezervimet drejt Stambollit dhe mrekullisë së Kapadokisë kanë rënë ndjeshëm, ndërsa ritmi i prenotimeve për paketat "all-inclusive" të verës ka pësuar një goditje të papritur.

Në përpjekje për të mbajtur gjallë interesin dhe për të luftuar pezullimin e rezervimeve, hotelet në zonën e Antalias kanë nisur të aplikojnë strategji agresive të çmimeve. Operatorët turistikë bëjnë me dije se vetëm ditët e fundit kanë mbërritur oferta të reja me kosto më të ulëta, si një kundërpeshë ndaj frikës që ka pushtuar tregun.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit