Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë nga familjarët e një pacienti 90-vjeçar, i cili duhet të kryejë seancën e radhës të kimioterapisë në QSUT.
Sipas qytetarit, ai është kontaktuar nga reparti i Onkologjisë dhe është njoftuar që të mos e paraqesë babain për trajtim, pasi mungon medikamenti i domosdoshëm për terapinë, Zoladex.
Familjari tregon se mungesa e këtij ilaçi ka të paktën prej javës së kaluar, ndërsa shton dyshimet se situata mund të jetë edhe më e zgjatur në kohë. Sipas tij, nuk ka asnjë informacion konkret se kur pritet të furnizohet reparti, duke lënë pacientët në pasiguri totale.
“Kur pyeta se kur mund të vijë ilaçi, më thanë që nuk kanë asnjë njoftim. Do ju marrim ne në telefon, por pa dhënë asnjë datë konkrete”, shprehet ai.
Sipas denoncimit, nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për disa pacientë me kancer që nuk po marrin trajtimin e nevojshëm për shkak të mungesës së këtij medikamenti jetik.
Ky është një shqetësim serioz që prek drejtpërdrejt jetën e pacientëve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të reagojnë për të zgjidhur këtë situatë sa më shpejt.