“Nëse nuk më jep paratë, do të të rrah”, kërcënoi për muaj një 14-vjeçar, në pranga i riu shqiptar në Itali

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.03.2026, 19:08

Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg në Itali, pasi u shpall fajtor për grabitje dhe ushtrim dhune ndaj një 14-vjeçari. Vendimi është dhënë në procedurë të përshpejtuar nga gjykata, pas zbardhjes së një serie ngjarjesh që, sipas hetimeve, kishin zgjatur për disa muaj.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Borgo San Lorenzo, në periudhën mes shtatorit 2024 dhe prillit 2025. I riu, i cili prej kohësh ndodhej në arrest shtëpie, akuzohet se së bashku me disa bashkëpunëtorë kishte terrorizuar vazhdimisht të miturin për t’i marrë para.

Sipas hetimeve, 14-vjeçari ndalohej shpesh në rrugë dhe, nën kërcënime fizike, detyrohej të dorëzonte çdo shumë që kishte me vete. Edhe pse shumat ishin të vogla, nga disa monedha deri në 15 euro, në total dyshohet se të rinjtë i kishin marrë rreth 200 euro. Kërcënimet ishin të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta: “Nëse nuk më jep para, do të të rrah” apo “do të vij të të gjej në shtëpi”.

I frikësuar nga presioni i vazhdueshëm, i mituri nuk kishte treguar asgjë në familje për muaj me radhë. Ai vendosi të flasë vetëm më 26 prill 2025, pasi 21-vjeçari dyshohet se i mori me forcë portofolin.

Pas denoncimit, babai i të miturit ndërhyri për të mbrojtur djalin, por sipas hetimeve edhe ai u bë objekt dhune, duke u sulmuar me shkopinj nga grupi.

Falë dëshmive të viktimës dhe identifikimeve përmes fotografive, autoritetet arritën të zbulojnë dhe identifikojnë personat e përfshirë. Përveç 21-vjeçarit të dënuar, në hetim janë përfshirë edhe tre të rinj të tjerë, të cilët në kohën e ngjarjes ishin 16 dhe 17 vjeç.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit