Izraeli sulmon objektin më të madh të gazit në Iran

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.03.2026, 18:21

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ndaj objekteve energjetike iraniane në Gjirin Persik, duke goditur një nga zonat më të mëdha të prodhimit të gazit në botë.

Sipas raportimit, pjesë të fushës së gazit në Parsin Jugor, e vendosur pranë qytetit portual Kangan, janë goditur me raketa. Televizioni shtetëror citoi zëvendësguvernatorin e provincës së Bushehrit, i cili e cilësoi sulmin si një akt të ndërmarrë nga “armiku amerikan-sionist”. Ndërkohë, në zonë janë dërguar forcat zjarrfikëse për të vënë nën kontroll flakët.

Një zyrtar izraelit i tha gazetës “Jerusalem Post” se operacioni është kryer në koordinim me SHBA-në. Fusha e gazit Parsin Jugor përbën një burim jetik për Iranin, duke siguruar rreth 70% të gazit natyror të konsumuar në vend dhe duke u ndarë me Katarin.

Pas sulmit, Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar urdhra evakuimi për disa objekte energjetike në Gjirin Persik, ndërsa Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të menjëhershme. Mediat shtetërore iraniane raportojnë se është dhënë alarm për evakuim edhe në objekte të naftës në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, të cilat mund të jenë në shënjestër në orët në vijim.

Paralajmërimi përfshin disa nga qendrat më të rëndësishme energjetike në rajon, përfshirë rafineri dhe komplekse petrokimike strategjike. Në deklaratë thuhet: “Këto qendra janë bërë objektiva të menjëhershme dhe legjitime dhe do të jenë objektiva në orët në vijim. Prandaj, të gjithë qytetarët, banorët dhe punonjësit kërkohen të largohen menjëherë nga këto zona dhe të zhvendosen në një distancë të sigurt pa vonesë.”

Ndërkohë, tensionet kanë reflektuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Pas sulmit, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, me naftën Brent që arriti në rreth 108.60 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej rreth 5% krahasuar me një ditë më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit