Shoqatat e hidrokarbureve: Ndryshoni taksën e qarkullimit, ulim çmimin e karburantit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.03.2026, 15:30

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka dorëzuar qeverisë një draft për ndryshimin e mënyrës së taksimit të karburanteve, duke pretenduar se kjo do të sillte ulje të menjëhershme të çmimeve për konsumatorët.

Aktualisht, çmimi i naftës në tregun vendas ka arritur rreth 200 lekë për litër, nga 170–175 lekë që ishte më parë, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme. Paralelisht, në tregjet ndërkombëtare, nafta ka kapërcyer nivelin e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa pritet që, nëse situata përkeqësohet, të ketë rritje të mëtejshme.

Sipas Monitor, në thelb të propozimit është heqja e taksës së qarkullimit që aplikohet aktualisht për çdo litër karburanti dhe zëvendësimi i saj me një tarifë fikse vjetore për automjetet. Kjo tarifë do të variojë sipas kategorisë së mjetit dhe ndikimit që ai ka në infrastrukturë dhe mjedis.

Sipas përllogaritjeve, nga konsumi vjetor prej rreth 730 milionë litrash, shteti arkëton rreth 23.6 miliardë lekë nga kjo taksë. Skema e re synon të ruajë të njëjtin nivel të ardhurash, duke e shpërndarë barrën në mënyrë të drejtpërdrejtë te pronarët e mjeteve. Mesatarisht, tarifa parashikohet të jetë rreth 310 euro në vit, me ndarje të përafërt si më poshtë:

  • 40 euro për motorët
  • 150 euro për makinat e vogla
  • 200 euro për SUV dhe fuoristrada
  • mbi 500 euro për kamionë dhe autobusë

Sipas industrisë, mënyra aktuale e taksimit nuk bën dallim mes mjeteve të lehta dhe atyre të rënda, duke krijuar padrejtësi. Ndryshimi i propozuar synon që kostot të mbarten më shumë nga mjetet që konsumojnë më tepër dhe dëmtojnë më shumë rrugët.

Gjithashtu, kjo reformë pritet të ndikojë në uljen e kostove të transportit dhe, në mënyrë indirekte, të çmimeve për mallra dhe shërbime. Rritja e konsumit, sipas tyre, mund të kompensojë pjesërisht të ardhurat përmes taksave të tjera si TVSH dhe tatim-fitimi.

Në draft parashikohet edhe përfshirja e automjeteve elektrike në sistemin e ri të taksimit, duke qenë se aktualisht ato nuk kontribuojnë përmes karburantit, ndonëse janë në rritje. Një tjetër synim është frenimi i kontrabandës dhe blerjeve të karburantit jashtë vendit, sidomos në zonat kufitare, përmes një skeme më të balancuar dhe transparente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit