Policia ka zhvilluar një operacion në zonën e Fushë-Krujës për kapjen e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, por ndërhyrja ka rezultuar e pasuksesshme, pasi ai ka arritur t’u shpëtojë forcave të rendit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në oborr u gjet një sasi municioni luftarak si dhe 14 fitila zjarrpërcjellës, të cilët u sekuestruan si prova materiale. Pavarësisht informacionit mbi vendndodhjen e tij, Zalla nuk u kap, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e operacionit.
I shpallur në kërkim që prej muajit nëntor për çështje që lidhen me armëmbajtje pa leje, ai dyshohet se ndodhej në zonën e Zallës në Fushë-Krujë në momentin e ndërhyrjes, por ka mundur të largohet para se policia të vepronte.
Ylli Zalla është një emër i njohur për drejtësinë. Rreth 12 vite më parë ai është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe është përmendur edhe për përfshirje në aktivitete të lidhura me drogën. Në të kaluarën janë ngritur dyshime edhe për lidhje me rrjete ekstremiste, si dhe për kërcënime ndaj një biznesmeni në zonën e Fushë-Krujës, çka e bën edhe më shqetësuese moskapjen e tij.