Sot do të kujtojmë një nga tenderët më të diskutuar të AKEP, i zhvilluar në vitin 2022, në kohën kur në krye të institucionit ishte Tomi Frashëri. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-19603-02-14-2022, me objekt “Suport i sistemit të menaxhimit të cctld .al dhe licenca vjetore për pajisjet e platformës DNS”. Fondi limit i këtij tenderi ishte 11,321,550 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 140 milionë lekë të vjetra me TVSH, ndërsa në garë morën pjesë vetëm 3 kompani, një pjesëmarrje e kufizuar që ka ngritur pikëpyetje.
Sipas dokumenteve të procedurës, fituese u shpall kompania INFOSOFT SYSTEMS, në pronësi të Grigor Joti, me një ofertë prej 11,175,384 lekë të reja pa TVSH, ose afro 99% e fondit limit. Ndërkohë, një tjetër kompani kishte paraqitur ofertë prej vetëm 7,000,000 lekë të reja pa TVSH, rreth 40 milionë lekë të vjetra më pak, por nuk u kualifikua. Ky diferencim i madh mes ofertave dhe fakti që u shpall fituese një ofertë pothuajse sa fondi limit ka shtuar dyshimet mbi mënyrën e vlerësimit.
Katër vite më pas, kjo procedurë vijon të përmendet si një rast që kërkon vëmendje institucionale, ndërsa sytë janë kthyer nga SPAK për të parë nëse do të ketë një verifikim apo hetim mbi praktikat e ndjekura në këtë tender. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar mbi këtë çështje, ndërsa dokumentacioni i prokurimit mbetet i aksesueshëm për publikun dhe vijon të ngrejë pikëpyetje mbi transparencën dhe konkurrencën reale.
