Autoritetet britanike kanë goditur një grup të organizuar shqiptarësh të përfshirë në shpërndarjen e kokainës “klas A” në Milton Keynes, duke çuar në dënimin me burg të tetë personave. Sipas mediave vendase, rrjeti operonte në mënyrë të strukturuar për muaj me radhë, me role të ndara dhe furnizim të koordinuar, duke realizuar mijëra transaksione çdo muaj. Operacioni nisi pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe goditja e parë erdhi në korrik 2023, me arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e 1.5 kilogramë kokainë, pajisje dhe afro 10 mijë paund cash.
Aksioni u intensifikua më 21 nëntor 2023, kur u arrestuan tetë persona të tjerë dhe u sekuestruan 500 gramë kokainë dhe rreth 50 mijë paund. Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Kurorës në Southwark, ku u dhanë dënimet për të përfshirët. Autoritetet britanike theksuan se ky rrjet nuk ishte një operacion i zakonshëm, por një strukturë e konsoliduar që vepronte në shkallë të gjerë dhe ndikonte drejtpërdrejt në komunitet, duke sjellë jo vetëm shpërndarje droge, por edhe dhunë dhe shfrytëzim.
Të dënuarit kryesorë janë, Zeqir Pisli, 30 vjeç, organizatori kryesor, 13 vjet e 8 muaj burg; Mevlan Pisli, 39 vjeç, 4 vjet e 2 muaj; Festim Pisli, 36 vjeç, 10 vjet e 3 muaj; Laers Katana, 22 vjeç, 5 vjet e 7 muaj; Arnaldo Dedja, 33 vjeç, 5 vjet e 8 muaj; Selita Burim, 27 vjeç, 5 vjet e 7 muaj; Jozef Perzefi, 21 vjeç, 3 vjet; dhe Leonsio Cara, 28 vjeç, 3 vjet. Ky rast nënvizon pasojat e rënda që rrjetet kriminale kanë mbi komunitetet lokale dhe rëndësinë e operacioneve të koordinuara të policisë.