Nafta “fluturon” drejt 200 lekëve, shqiptarët nuk e lëshojnë karrigen e kafes

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.03.2026, 20:38

Tregu i karburanteve në Shqipëri është përfshirë sërish nga një valë e dyshimtë shtrenjtimi, ku çmimet në tabela po prekin shifrën kritike prej 199 lekësh për litër. Ndërsa qytetarët vazhdojnë rutinën e tyre nëpër kafene, portofolat e tyre po boshatisen me shpejtësi nga një rritje prej gati 25 lekësh për litër që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.

Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje të mëdha nëse lufta mes Iranit dhe Izraelit po shërben si "gogol" për të justifikuar çmimet e kripura në pikat e tregtimit, të cilat u hodhën nga 173-175 lekë direkt në tavanin e ri brenda pak ditësh.

Edhe pse raportohet se nafta bruto Brent është rritur në bursë duke kapur vlerën e 103.2 dollarëve për fuçi, mbetet e paqartë shpejtësia me të cilën operatorët shqiptarë reflektojnë këtë shtrenjtim te konsumatori final.

Të dhënat e doganave tregojnë se çmimi i importit u rrit nga 1206 dollarë për ton në 12 mars, në 1225 dollarë vetëm katër ditë më vonë, por kjo rritje në bursa shpesh duket se përdoret si pretekst i përsosur për të rritur marzhet e fitimit në Shqipëri.

Dyshimet për abuzime shtohen kur shikon se si çmimi në pompë reagon me "shpejtësinë e dritës" kur bursa rritet, por harron të ulet me të njëjtin ritëm kur tensionet ndërkombëtare qetësohen.

Në këtë skenë ku lufta në Lindjen e Mesme duket se po paguhet nga shoferët shqiptarë, barra e rëndë e taksave vijon të mbetet "kushrina e parë" e çmimit të lartë. Pothuajse 100 deri në 110 lekë për çdo litër naftë shkojnë direkt për shtetin përmes akcizës, taksës së karbonit, qarkullimit dhe TVSH-së prej 20%.

Kjo peshë fiskale, e gërshetuar me indiferencën e konsumatorëve që ende nuk po reagojnë ndaj këtij shtrenjtimi galopant, krijon mjedisin ideal që tregtarët e shumicës të vazhdojnë diktimin e çmimeve pa pasur frikë nga ndëshkimi apo rënia e kërkesës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit