Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast që lidhet me dhënien me qira të banesës së tij, për të cilin pretendon se ka pësuar dëme financiare dhe materiale.
Sipas dëshmisë së tij, rreth 5–6 muaj më parë ai ka dhënë me qira një apartament 1+1 në zonën e Pallateve Çabej. Kontakti me qiramarrësin është bërë përmes një kompanie ndërmjetësuese që merret me gjetjen e banesave me qira, e cila i ka sugjeruar një person që jetonte i vetëm. Kontrata është lidhur më 20 shtator në prani të noterit.
Qiramarrësi, i identifikuar si Alfrend Mensah, ish-lojtar i KF Tirana, kishte rënë dakord me pronarin që çdo tre muaj të kryhej një kontroll i banesës.
Denoncuesi tregon se gjatë një kontrolli në muajin janar, apartamenti është gjetur në gjendje shumë të dëmtuar, siç pretendohet edhe në pamjet video të dërguara në redaksi. Ai shton se i ka kërkuar qiramarrësit të mbulojë të gjitha dëmet, ndërsa ky i fundit i ka premtuar se do t’i paguante, por kërkonte kohë.
Sipas qytetarit, në vijim qiramarrësi ka deklaruar se do të qëndronte në banesë deri në muajin mars dhe më pas do të largohej. Palët kishin rënë dakord që më 15 mars të shlyheshin të gjitha detyrimet, përfshirë dëmet, qiranë, si dhe faturat e ujit dhe energjisë elektrike.
Megjithatë, denoncuesi pretendon se në momentin që ka tentuar të kontaktojë qiramarrësin në atë datë, nuk ka marrë përgjigje. Kur ka shkuar për të kontrolluar banesën, ka konstatuar se personi ishte larguar, duke marrë sendet personale.
Aktualisht, sipas tij, qiramarrësi ka lënë pa paguar një muaj qira dhe dy muaj detyrime për ujë dhe energji elektrike, ndërsa dëmet në apartament vlerësohen rreth 500 euro.
Qytetari bën me dije se ka bërë kallëzim në Policinë e Shtetit, konkretisht në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, por deri në këtë moment pretendon se nuk ka marrë një zgjidhje.
Ai kërkon që rasti i tij të bëhet publik për të sensibilizuar dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën.
Redaksia e JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga pala e përmendur në këtë denoncim, për të paraqitur versionin e saj të ngjarjes.