Gallatë shqiptare: Fiton tenderin miliona lekë, sistemi e nxjerr sikur ankohet kundër vetes!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.03.2026, 18:33

Revolucioni dixhital në Shqipëri ka mbërritur në një pikë ku sistemi jo vetëm që punon "vetë", por ka filluar të krijojë edhe sherre imagjinare mes shtetit dhe biznesit. Një rast sa absurd aq edhe qesharak ka përfshirë Autoritetin Portual të Durrësit dhe kompaninë "Illyrian Consulting Engineers", në një histori që ngjan më shumë me një skenar komedie sesa me një procedurë zyrtare shtetërore.

Pasi kjo e fundit u shpall fituese e tenderit 23.7 milionë lekësh për projektimin e hekurudhës Porto Romano-Sukth, në sistemin elektronik të prokurimeve u shfaq befas një ankesë që bllokoi gjithçka. Çudia? Fituesi i tenderit po ankohej zyrtarisht kundër procesit që sapo kishte fituar vetë.

Kjo situatë i la pa fjalë specialistët e Autoritetit Portual, të cilët u gjendën nën presionin e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) për të dhënë llogari mbi këtë ankimim të pakuptimtë. Ndërkohë që institucioni po bëhej gati të lidhte kontratën, "makineria" dixhitale prodhoi një pengesë që nuk kishte asnjë logjikë ekonomike apo njerëzore.

Vetë kompania fituese, e habitur po aq sa shteti, mohoi prerazi të kishte dorëzuar ndonjë ankesë, duke ia faturuar gjithçka një "gabimi" të platformës e-Albania që duket se ka marrë jetë më vete.

Saga e kësaj ankesë fantazmë zgjati me muaj të tërë, duke treguar se sa e vështirë është të korrigjosh një marrëzi që e prodhon vetë teknologjia. Në fund, vendimi i KPP-së ishte kulmi i ironisë: ankesa që nuk ekzistonte fare u hodh poshtë jo sepse ishte false apo produkt i një defekti teknik, por sepse ishte "dorëzuar" jashtë afateve ligjore.

Ky rast dëshmon se si në Shqipërinë tonë dixhitale, algoritmet kanë filluar të marrin vendime të pavarura, duke krijuar barriera absurde që as vetë njerëzit që i kanë projektuar nuk dinë t'i shpjegojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit