Një polemikë e re ka shpërthyer në futbollin turk, ku në qendër të diskutimeve është vendosur edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi. Tifozët e Trabzonspor kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke denoncuar atë që e konsiderojnë si standard të dyfishtë në vlerësimin e golave.
Shkak për këtë debat është bërë realizimi spektakolar i mesfushorit të Beşiktaş, Orkun Kökçü, në ndeshjen ndaj Gençlerbirliği. Goli i tij nga një pozicion i vështirë është cilësuar si një ndër më të bukurit e sezonit në Turqi.
Por ky vlerësim nuk është pritur mirë nga tifozët e Trabzonsporit, të cilët kujtojnë se një gol i ngjashëm, madje sipas tyre më i bukur, ishte shënuar më herët nga Muçi në përballjen kundër Konyaspor, pa marrë të njëjtën vëmendje mediatike.
Në reagimet e tyre, mbështetësit e klubit nga Trabzoni kërkojnë trajtim më të barabartë ndaj ekipit dhe lojtarëve të tij, duke theksuar se skuadrat e mëdha të Stambollit përfitojnë më shumë hapësirë dhe vlerësim. “Kur këto gola shënohen nga ekipet e Stambollit, flitet për ditë të tëra. Kur ndodhin te Trabzonspori, kalojnë në heshtje,” shprehen ata.
Kështu, emri i Muçit rikthehet në qendër të vëmendjes në Turqi, këtë herë jo vetëm për performancën në fushë, por edhe për debatin që ka ndezur mes tifozëve dhe opinionit sportiv.