Një qytetar ka raportuar një incident të ndodhur para 4 ditësh në rrugën e Portit në Durrës, ku makina e tij është goditur nga pas nga një tjetër automjet. Sipas qytetarit, ngjarja ka ndodhur ndërsa ai po dërgonte djalin e tij në spital.
Pas aksidentit, qytetari ka biseduar me shoferin e makinës tjetër, i cili ishte punëtor ndërtimi dhe ky i fundit i ka kërkuar të mos njoftonte policinë, duke premtuar se do të rregullonin dëmin mes tyre.
Qytetari ka marrë vetëm numrin e tij të telefonit, duke u mbështetur në fjalën e dhënë nga shoferi për pagesën e dëmit.
Megjithatë, kur qytetari e ka kontaktuar më vonë për të folur për dëmin dhe pagesën, shoferi i ka bërë bllok dhe nuk ka pranuar të përgjigjet, pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’u kontaktuar nga numra të ndryshëm.
Qytetari bën thirrje publike që shoferi të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar dhe të respektojë premtimin e dhënë menjëherë pas aksidentit. Ai thekson rëndësinë e respektimit të ligjit dhe marrjes së përgjegjësisë në raste të tilla për të shmangur pasoja më të rënda ligjore.