“Revanshi” në gjykatë: të akuzuarit që donin të vrisnin njëri-tjetrin përballen ‘në të njëjtin kafaz’

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.03.2026, 12:08

Nga hetimet e SPAK rezulton se personat e përfshirë në këtë dosje, të cilët pritet të dalin përpara gjykatës në të njëjtin proces, në periudha të ndryshme kanë tentuar të eliminojnë njëri-tjetrin ose kanë bashkëpunuar me palë të treta kundër atyre që sot i kanë përkrah në bankën e të akuzuarve.

Paraditen e sotme, GJKKO vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj 7 të pandehurve, pjesë e asaj që njihet si operacioni “Revanshi”. Në këtë çështje përfshihen emra të njohur të botës së krimit, por edhe zyrtarë policie. Dosja në fjalë përbën vetëm një pjesë të hetimit të gjerë, pasi një tjetër fraksion i saj lidhet me rreth 20 persona ende në kërkim.

Të pandehurit që do të përballen me drejtësinë janë Durim Bami, Aldo Avdyli, Jozi Kraja, Altin Morina, Marklen Haka, Enerigert Mitri dhe Edson Jozwik. Sipas SPAK, këta persona jo vetëm kanë qenë pjesë e grupeve kriminale, por në raste të ndryshme kanë planifikuar apo tentuar eliminimin fizik të njëri-tjetrit.

Referuar hetimeve, Durim Bami akuzohet për disa vepra penale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kultivim të bimëve narkotike. Ai u ekstradua së fundmi nga Dubai dhe dyshohet se ka kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërkohë që edhe vetë ka qenë objekt i planeve për atentat nga grupe rivale. SPAK pretendon se Bami, së bashku me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën, ka planifikuar vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, si dhe ka drejtuar një aktivitet të kultivimit të kanabisit në zonat e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019–2020.

Në këtë aktivitet, sipas akuzës, e ka ndihmuar edhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, si dhe persona të tjerë që siguronin informacion dhe shmangnin kontrollet policore.

Marklen Haka akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa Aldo Avdyli dyshohet se ka siguruar kushtet për eliminimin e Bamit, një ngjarje që mbeti në tentativë.

Sipas SPAK, Jozi Kraja ka pasur rol aktiv në përgatitjen e atentateve, duke vepruar si vëzhgues dhe bashkëpunëtor në planifikimin e vrasjes së vëllezërve Durim dhe Valter Bami, për një periudhë disa vjeçare.

Në dosje përfshihet edhe Enerigert Mitri, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, i cili akuzohet për një sërë veprash penale, nga kultivimi i narkotikëve dhe pjesëmarrja në grup kriminal, deri te korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës.

Ndërkohë, Edson Jozwik dyshohet se ka trafikuar rreth 160 kilogramë kanabis nga Shqipëria drejt Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Europian, si pjesë e një aktiviteti të organizuar kriminal.

Hetimet vijojnë për pjesën tjetër të dosjes, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të zbardhë më tej rolet dhe përgjegjësitë e secilit prej të pandehurve në këtë rrjet kompleks kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit