Autopsia e kryer mbi trupin e 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i cili humbi jetën gjatë një ngjarjeje të rëndë në natën e Shën Valentinit në Itali, ka zbuluar detaje të reja mbi rrethanat e krimit.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, i riu është qëlluar me më shumë se një plumb nga një armë zjarri e tipit Beretta 7.65. Njëri prej plumbave rezultoi fatal, pasi e goditi në zonën e qafës, ku u gjet edhe predha. Raporti përfundimtar i ekspertizës pritet të dorëzohet brenda 60 ditëve dhe do të përcaktojë me saktësi plagën që shkaktoi vdekjen, duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes dy grupeve të rinjsh, i cili nisi në një lokal në Montopoli dhe përfundoi me të shtëna armësh në Montecalvoli. Përplasja kaloi nga një debat verbal në dhunë fizike dhe më pas në përdorimin e armëve.
Për këtë vrasje është arrestuar 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në paraburgim dhe dyshohet si autori i krimit. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar se ka qëlluar ndaj viktimës, duke dhënë edhe versionin e tij për ngjarjen.
Sipas dëshmisë së tij, konflikti kishte nisur më herët dhe u përshkallëzua deri në momentin fatal. Dyshohet se ai ka qëlluar ndërsa drejtonte një automjet tip “Range Rover Evoque”, me të cilin u ndalua nga policia disa orë pas ngjarjes.
Ndërkohë, një 18-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë për bashkëpunim në këtë krim. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për armën dhe ka mohuar çdo përfshirje. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë dëshmitë dhe pamjet filmike për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.