Hetimet për shpërthimin me tritol të automjetit të Oltjon Klosit, ngjarje e regjistruar më 10 mars në Tiranë, kanë marrë një drejtim të ri pas arrestimit të 7 personave të dyshuar si të përfshirë në këtë akt.
Fillimisht, të ndaluarit refuzuan të japin dëshmi para autoriteteve, por më vonë pranuan përfshirjen e tyre në ngjarje. Në fazat e para të hetimit, policia dyshonte se motivi lidhej me një konflikt të mëparshëm në Spanjë mes Sabah Nuzit—i cili aktualisht ndodhet në burg për vepra të rënda penale—dhe vetë Klosit, për një borxh të pashlyer prej 15 mijë eurosh.
Megjithatë, nga dëshmitë e siguruara më pas, rezulton se Nuzi dhe Klosi nuk kishin njohje direkte me njëri-tjetrin. Sipas deklarimeve, porosia për vendosjen e eksplozivit është dhënë nga Nuzi në emër të personave të tjerë, të cilët dyshohet se kishin konflikte me 36-vjeçarin. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Autor i vendosjes së tritolit në mjet dyshohet të jetë Jurgen Gjonaj, i cili ka pranuar se mori përsipër kryerjen e shpërthimit për të shlyer një borxh prej rreth 15 mijë eurosh ndaj Sabah Nuzit. Ai ka deklaruar se borxhi kishte lindur pas humbjes së një sasie lënde narkotike në Gjermani dhe se kryerja e këtij akti do të konsiderohej si shlyerje e detyrimit.
Në kuadër të operacionit policor janë arrestuar Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të cilët akuzohen për “Shkatërrim të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla përballen me akuzën “Përkrahje e autorit të krimit”.
Zbardhja e ngjarjes u mundësua falë një prove kyçe: biçikletës së përdorur nga autori gjatë kryerjes së krimit. Ajo rezultoi e vjedhur nga Kristjan Ahmerama dhe u gjet e fshehur në një ambient në zonën e Laprakës. Mbajtja nën vëzhgim e tij çoi më pas në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.