Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë që e cilëson Iranin si “shtet financues të terrorizmit”, me 79 vota pro dhe një abstenim. Nisma u fut në rendin e ditës pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ndërsa ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama.
Përmes këtij dokumenti, qeverisë shqiptare i kërkohet të ndërmarrë menjëherë veprime për të shpallur si organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Mazhoranca socialiste e argumentoi këtë vendim si të domosdoshëm dhe urgjent, ndërsa opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike, vendosi të mos marrë pjesë në seancë.
Megjithatë, në sallë ishin të pranishëm dy deputetë nga forca të tjera politike, Erald Kapri i Partisë Mundësia dhe Redi Muçi i Partisë Bashkë. Kapri mbështeti rezolutën me votën e tij.
Në momentin e votimit mungonin kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, ndërsa, ndryshe nga seanca e kaluar, këtë herë Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj ishin të pranishëm në Kuvend.