Reshjet e rrëmbyeshme kërcënojnë prodhimin e kafesë, paralajmërohet rritje çmimesh

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.03.2026, 10:04

Reshjet e dendura dhe të papritura të shiut po bëhen një kërcënim gjithnjë e më serioz për prodhimin e kafesë në Brazil, vendin që kryeson botën në këtë sektor, sipas një studimi të publikuar në mars nga iniciativa kërkimore World Weather Attribution.

Sipas analizës, këto reshje favorizojnë përhapjen e sëmundjeve në plantacionet e kafesë Arabica në shtetin Minas Gerais, duke ndikuar negativisht në rendimentin e të korrave.

Kafeja braziliane mbetet ndër më të preferuarat në botë, falë aromës së saj karakteristike me nota arre dhe çokollate të lehtë, si edhe shijes së butë që vjen nga aciditeti i ulët.

Megjithatë, vitet e fundit moti ekstrem ka sjellë një ulje të prodhimit me rreth 15% deri në 20%, duke kontribuar edhe në rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Rajoni i Minas Gerais, në juglindje të Brazilit, është zemra e prodhimit të kafesë në vend dhe furnizuesi kryesor i varietetit Arabica. Brazili vijon të jetë prodhuesi më i madh global, ndërsa sipas shoqatës së eksportuesve Cecafé, importuesi më i madh bleu rreth 5.4 milionë thasë kafeje braziliane (nga 60 kg secili) gjatë vitit 2025.

Në fund të shkurtit, reshjet ekstreme shkaktuan rrëshqitje masive dheu në këtë rajon, duke lënë pas 72 viktima dhe mijëra të zhvendosur. Në qytetin Juiz de Fora, ky ishte shkurti më i lagësht i regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave zyrtare.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ngrohjes globale. Edhe pse studiuesit nuk arritën të lidhin drejtpërdrejt reshjet e fundit me ndryshimet klimatike, ata vlerësojnë se intensiteti i tyre mund të rritet me mbi 7% nëse temperatura globale rritet me 2.6°C krahasuar me periudhën para-industriale.

“Kjo tragjedi tregon qartë sa të ekspozuara janë komunitetet në zonat kodrinore, ndërsa planeti vazhdon të ngrohet”, u shpreh klimatologia Regina Rodrigues nga Universiteti Federal i Santa Catarina.

Ndikimi në çmimet e kafesë nuk lidhet vetëm me Brazilin. Vietnami, një tjetër eksportues i madh, ka përjetuar gjithashtu rënie të prodhimit, ndërkohë që kërkesa globale – veçanërisht në Kinë – është në rritje të vazhdueshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse vazhdohet me politikat aktuale, Toka mund të ngrohet me rreth 2.8°C deri në fund të shekullit. Edhe nëse zbatohen angazhimet kombëtare ekzistuese për klimën, parashikimet tregojnë një rritje prej 2.3 deri në 2.5°C.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit