Nga pushimet zyrtare te kufizimet në qarkullim: Azia merr masa për kursimin e karburantit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.03.2026, 09:32

Vendet aziatike po shtrëngojnë politikat për kursimin e karburantit, ndërsa përballen me rrezikun e mungesave energjetike pas tensioneve të shtuara në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.

Si rajoni më i madh importues i naftës në botë, Azia mbetet shumë e varur nga furnizimet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët kryesore të tregtisë globale të energjisë.

Sipas të dhënave, rreth 90% e naftës dhe gazit që kaluan në këtë korridor gjatë vitit të kaluar kishin si destinacion tregjet aziatike, duke i bërë ato veçanërisht të ekspozuara ndaj çdo ndërprerjeje të mundshme.

Përballë kësaj situate, disa qeveri kanë nisur të zbatojnë masa konkrete për të ulur konsumin.

Në Sri Lanka, e mërkura është shpallur ditë pushimi zyrtar për të kufizuar përdorimin e karburantit. Po ashtu, drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me një leje kombëtare që përcakton sasinë e karburantit që mund të blejnë.

Në Myanmar, qarkullimi i automjeteve private është kufizuar në ditë të alternuara, në varësi të numrit të targës. Ndërkohë, Bangladeshi ka afruar nisjen e pushimeve të Ramazanit në universitete dhe ka vendosur ndërprerje të planifikuara të energjisë në të gjithë vendin.

Edhe në Filipine, disa institucione publike kanë aplikuar punën nga shtëpia për të paktën një ditë në javë, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar konsumin energjetik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit