Agjencitë e ndërmjetësimit në Tiranë raportojnë një ndryshim të dukshëm në tregun e kujdesit për fëmijët: Familjet shqiptare po orientohen gjithnjë e më shumë drejt punësimit të dadove nga Filipinet, ndërsa kërkesa për kujdestare vendase ka pësuar rënie.
Sipas të dhënave të tregut, një nga arsyet kryesore të këtij trendi është pagesa mujore që varion nga 600 deri në 700 euro, e shoqëruar me orare më fleksibël pune. Kjo zgjedhje lidhet gjithashtu me mungesën e shërbimeve publike mbështetëse për kujdesin ndaj fëmijëve.
Në të njëjtën kohë, është ulur edhe numri i grave shqiptare që emigrojnë në Europë për të punuar si dado. Kjo lidhet me rritjen e mundësive për punësim sezonal në jug të vendit gjatë periudhës turistike. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky sektor vazhdon të mbetet kryesisht informal dhe pa standarde të qarta për kualifikimet.
Pagesa mujore për filipinezet varion rreth 700 euro, ku përfshihen akomodimi dhe ushqimi që i sigurohen nga familja shqiptare që e ka punësuar.
Ndërkohë, nëse më parë punësimi i dadove filipinase konsiderohej një luks i rezervuar për familjet me të ardhura të larta, sot kjo praktikë po përhapet gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në një zgjedhje të zakonshme për shumë familje në kryeqytet.
Por jo vetëm në zanatin e dados, punonjësit filipinezë kanë "pushtuar" çdo sektor të vendit në fuqinë punëtore. Ata kanë hyrë në kuzhinë, në mirëmbajtje, në transport, etj... Sot i shohim si kamarierë e kuzhinierë në restorante, madje edhe në shërbimet delivery në shtëpi...