Sëmundjet e zemrës vijojnë të dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri, duke zënë 52.9% të totalit, një nivel dukshëm më i lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian prej 32.8%. Të dhënat krahasuese tregojnë një hendek të madh edhe në kategori të tjera: tumoret përbëjnë 23.9% të vdekjeve në BE kundrejt 15.3% në Shqipëri, ndërsa sëmundjet e frymëmarrjes, të tretjes dhe ato mendore raportohen në nivele shumë më të ulëta në vend. Kjo diferencë sugjeron jo vetëm profil të ndryshëm të sëmundshmërisë, por edhe sfida në diagnostikim dhe raportim.
Ndërkohë, rastet me probleme kardiake janë në rritje të vazhdueshme. Vetëm në periudhën janar–gusht 2025, në repartet e kardiologjisë u trajtuan 7,543 pacientë, ose 17.5% më shumë se një vit më parë. Rritje është shënuar edhe në shëndetin mendor, me 36% më shumë pacientë të trajtuar në spitalet psikiatrike. Ekspertët e lidhin këtë trend me stilin e jetesës, duke përfshirë ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik, ushqyerjen jo të shëndetshme dhe stresin kronik, veçanërisht në ambientet e punës.
Sipas specialistëve, faktorët e rrezikut si obeziteti, duhanpirja dhe stresi po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Shqipëria renditet ndër vendet me përqindje të lartë të mbipeshës, ku mbi 56% e popullsisë adulte është mbi peshë, me një prevalencë më të lartë tek meshkujt. Rreziku rritet me moshën dhe mbetet më i lartë tek burrat, ndërsa ekspertët dhe organizatat shëndetësore bëjnë thirrje për një qasje të integruar në parandalimin e faktorëve të rrezikut për të ulur vdekshmërinë nga sëmundjet e zemrës.