“Pagova 180 euro për permanent te ‘Perfect Beaty Zone’, por flokët m’u dogjën”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.03.2026, 23:58

Një shtetase e huaj që jeton në Tiranë i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një eksperiencë që e cilëson si “katastrofike” në sallonin e bukurisë 'Perfect Beauty Zone'.

Sipas saj, ajo shkoi në këtë sallon për të bërë një permanent (cold perm) dhe prerje flokësh, duke paguar rreth 180 euro, me pritshmërinë për një shërbim profesional. Por rezultati, sipas saj, ishte krejtësisht i kundërt.

Nga fotot që ajo ka dërguar në redaksi, shihet se menjëherë pas procedurës flokët kishin valëzim, ndërsa pas larjes së parë rezultati është krejt tjetër: kaçurrelat janë zhdukur dhe flokët duken të drejtë, të thatë dhe të dëmtuar.

Sipas saj, pas më shumë se 48 orësh, kohë që e kishte respektuar sipas udhëzimeve të sallonit, ajo lau flokët dhe zbuloi se permanenti kishte humbur plotësisht efektin.

Në komunikimet që ka zhvilluar me sallonin, stafi i ka kërkuar që të shkojë personalisht për të parë flokët dhe ka sugjeruar se rezultati mund të lidhet me mënyrën e tharjes, duke përmendur përdorimin e një difuzori. Ata gjithashtu kanë deklaruar se situata është “normale” për shkak të solucionit të permanentit.

Por klientja e kundërshton këtë pretendim. Ajo thotë se flokët i janë dëmtuar rëndë dhe se tekstura e tyre është bërë si kashtë, me thyerje kimike të dukshme.

Sipas saj, edhe pse stafi i sallonit pretendon mbi 25 vite përvojë, ata kanë refuzuar të pranojnë dëmtimin nga fotot që ajo u ka dërguar dhe nuk kanë pranuar rimbursimin e pagesës.

E zhgënjyer nga përgjigjja që mori, ajo ka vendosur ta bëjë rastin publik dhe të paralajmërojë klientët e tjerë për përvojën e saj në këtë sallon bukurie në kryeqytet.

Përveç dëmtimit fizik të flokëve, klientja ka vënë në dispozicion të redaksisë sonë edhe komunikimet e plota me stafin e sallonit, ku sipas saj, përgjegjësia është mohuar dhe zgjidhja e ofruar nuk ka qenë e mjaftueshme për dëmin e shkaktuar.

JOQ Albania mbetet në dispozicion të përfaqësuesve të sallonit në fjalë, nëse dëshirojnë të japin versionin e tyre zyrtar mbi këtë denoncim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit