Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar zërat se ish-diplomati amerikan Richard Grenell është shkarkuar nga drejtimi i Qendrës John F. Kennedy për Artet Performuese në Shtëpinë e Bardhë, duke deklaruar se ai pritet të marrë një rol të ri dhe më të rëndësishëm në administratën e tij.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me donatorë, aleatë politikë dhe drejtues të qendrës kulturore, Trump komentoi raportimet që sugjeronin se Grenell ishte larguar nga posti që mbante në institucionin prestigjioz të arteve në Uashington.
“U përhap një histori se ai ishte pushuar nga puna. Nuk është e vërtetë. Ai nuk u pushua nga puna,” tha presidenti amerikan, duke sqaruar se detyra e Grenell në këtë institucion ishte gjithmonë e përkohshme dhe kishte për qëllim stabilizimin e qendrës gjatë një periudhe tranzicioni.
Trump madje e vlerësoi publikisht punën e tij dhe la të kuptohet se bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë në një rol të ri në Shtëpinë e Bardhë. “Po kërkoj sipërmarrjen tuaj të radhës,” u shpreh ai, duke sinjalizuar se Grenell mund të marrë një pozicion të rëndësishëm në administratën presidenciale.
Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të një plani të madh rinovimi për Kennedy Center, një projekt që pritet të çojë në mbylljen e institucionit për rreth dy vite, ndërsa administrata Trump pretendon se reforma do të rikthejë prestigjin e qendrës kulturore kombëtare.
Grenell është një figurë e njohur në diplomacinë amerikane dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trump. Ai ka shërbyer më parë si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe për një periudhë të shkurtër edhe si drejtor në detyrë i inteligjencës kombëtare.
Për shqiptarët, emri i tij lidhet veçanërisht me periudhën kur në vitin 2019 u emërua i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku u fokusua kryesisht në projekte ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë, si një mënyrë për të afruar dy palët.
Me deklaratat e fundit, Trump ka lënë të hapur mundësinë që Grenell të rikthehet në një rol të rëndësishëm politik në administratën amerikane në muajt e ardhshëm.