Epoka e fshehjes së kursimeve nëpër llogari bankare jashtë kufijve po shkon drejt fundit. Përmes një vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave, Shqipëria ka hedhur një hap vendimtar drejt transparencës fiskale, duke bërë që çdo qindarkë e shqiptarëve nëpër botë të jetë "nën rreze" të shtetit shqiptar.
Ndryshimet e miratuara më 5 mars forcojnë rregullat për “shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”. Ky proces nuk është thjesht një procedurë teknike, por një mjet i fuqishëm në duart e autoriteteve.
“Është një aksion për të luftuar krimin ekonomik dhe evazionin fiskal. Është edhe një hap që na afron si vend të sigurt për në BE, një kërkesë e tyre që thjeshtëzon gjurmueshmërinë,” shpjegojnë ekspertët ekonomikë.
Nëse deri më tani fokusi ishte te bankat tradicionale, rregullat e reja thyejnë barrierat e teknologjisë. Për herë të parë, në rrjetin e raportimit do të përfshihen edhe kriptoasetet.
Nga viti 2026, platformat që operojnë me klientë në Shqipëri do të raportojnë çdo transaksion shitjeje apo blerjeje të kriptomonedhave si Bitcoin.
Pyetja që lind natyrshëm është nëse shteti po vendos një kontroll total mbi të ardhurat? Ekspertët sqarojnë se ky proces ka të bëjë me ndershmërinë fiskale dhe jo me penalizimin e kursimeve të ligjshme.
Që prej vitit 2020, Shqipëria është pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare për raportimin e përbashkët. Sistemi funksionon në mënyrë reciproke:
Me këtë lëvizje, Shqipëria jo vetëm që përmbush një kusht kyç për integrimin në Bashkimin Evropian, por i jep fund epokës së "parajsave" të vogla financiare që qëndronin të fshehura në hije.