Kuvendi i Shqipërisë do të shpallë Iranin “shtet terrorist”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.03.2026, 20:11

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë në ditët në vijim një rezolutë me të cilën Republika Islamike e Iranit do të shpallet “Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste”.

Dokumenti argumenton se vendimi mbështetet në të dhëna dhe vlerësime ndërkombëtare që lidhen me financimin, armatosjen, trajnimin dhe drejtimin nga Irani të grupeve të armatosura jo-shtetërore, të cilat në shumë vende janë shpallur organizata terroriste.

Një nga arsyet kryesore që përmendet në draft është edhe fakti se Shqipëria ka qenë vetë objekt i sulmeve kibernetike të lidhura me Iranin. Në dokument kujtohet sulmi i rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, i cili sipas qeverisë shqiptare u krye nga struktura të sponsorizuara nga Teherani. Po ashtu përmenden edhe përpjekjet e fundit për sulme ndaj sistemeve digjitale të Kuvendit, të atribuuara grupit “Homeland Justice”.

Me këtë rezolutë, Shqipëria pritet të dënojë publikisht mbështetjen e Iranit për organizata terroriste, operacionet hibride dhe aktivitetet destabilizuese në rajone të ndryshme të botës. Dokumenti shpreh gjithashtu solidaritet me vendet e Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat sipas rezolutës kanë qenë shënjestër e aktiviteteve të sponsorizuara nga qeveria iraniane.

Drafti dënon gjithashtu Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të për rolin në mbështetjen e organizatave dhe forcave të armatosura që veprojnë si grupe përfaqësuese të Iranit në rajon. Në këtë kuadër, Kuvendi i bën thirrje qeverisë shqiptare që IRGC të shpallet organizatë terroriste, si dhe Hezbollahu të klasifikohet si organizatë terroriste e lidhur me Iranin.

Nëse miratohet, Shqipëria do t’i bashkohet një grupi shtetesh që kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Holandën dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit janë tensionuar prej vitesh, veçanërisht pas vendimit të Tiranës për të strehuar në territorin shqiptar mijëra anëtarë të organizatës opozitare iraniane MEK (Muxhahedinët e Popullit), të cilët u transferuan në vendin tonë me ndërmjetësimin e SHBA-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit