Në Shqipëri duket se karrierat politike nuk shkatërrohen nga skandalet... përkundrazi, ndonjëherë thjesht ndryshojnë skenë. Dhe rasti i Monika Kryemadhit duket sikur po e dëshmon këtë "formulë" me një qetësi të habitshme.
Sipas kësaj logjike të re publike, mjafton të bëhesh opinioniste e një reality show, të kritikosh "të këqinjtë" e të lëvdosh të preferuarit e publikut dhe imazhi për ty ndryshon brenda sekondit.
Një figurë politike që përmendet në dosje hetimore papritur shndërrohet në një personazh interesant i studiove televizive dhe rrjeteve sociale me mijëra njerëz që respektojnë mendimin e saj, teksa harrojnë se ky personazh u ka grabitur miliarda.
Ndërkohë që SPAK e ka përfshirë Kryemadhin në hetime për korrupsion pasiv dhe aktiv, në hapësirën online duket se po zhvillohet një tjetër histori... Urime, duartrokitje dhe ftesa në intervista, sikur bëhet fjalë për një VIP të showbiz-it dhe jo për një figurë politike nën hetim për vjedhje të popullit...
Në këtë realitet absurd, duket se skandalet nuk zhduken, ato thjesht zbehen shpejt. Mjafton pak kohë, disa dalje publike dhe pak narrativë e re, dhe diskutimi kalon nga drejtësia te argëtimi mediatik.
Politikanët e vjetër të karrierës duket se e kanë kuptuar mirë një rregull të artë të politikës shqiptare: Kujtesa publike është shumë e shkurtër. Shumë gjëra harrohen, shpesh edhe brenda tre ditësh.
Dhe kështu ndodh paradoksi i madh...
Figura që priten të japin llogari përpara drejtësisë rikthehen në studio televizive për të analizuar realitetin, për të komentuar politikën dhe për të marrë duartrokitje, e në funs të ditës kur thirren para dyerve të SPAK për të dhënë llogari kanë guximin edhe të tallen se s'kanë kohë të japin llogari për vjedhjet e tyre pasi në mbrëmje kanë një mision të shenjtë që është: Argëtimi i shqipove me "bukë e cirk", dy gjërat thelbësore për mbijetesën e një populli të vdekur.