20-vjeçari shqiptar kapet me 22 kg kanabis në valixhe në aeroportin e Brukselit: “Mendova se ishin rroba”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 16.03.2026, 19:20

Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në aeroportin e Brukselit pasi në valixhen e tij u gjetën 22.5 kilogramë kanabis, të ndara në 19 pako. I riu kishte mbërritur me avion nga Bangkoku i Tajlandës, një nga linjat që monitorohen më shpesh nga autoritetet doganore për shkak të trafikut të drogës.

Sipas prokurorisë, kontrolli i valixhes u bë menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroport. Gjatë verifikimit, doganierët zbuluan paketat me kanabis të fshehura në bagazh.

Para gjykatës, 20-vjeçari pretendoi se nuk e dinte se në valixhe kishte drogë, duke thënë se kishte menduar se brenda kishte vetëm rroba. Ky pretendim u konsiderua “i pabesueshëm” nga prokuroria, një vlerësim me të cilin u pajtua edhe gjykatësi.

Sipas hetimeve, i riu kishte pranuar të udhëtonte drejt Tajlandës pasi kishte borxhe financiare. Ai deklaroi se një person në Tiranë i kishte ofruar një “zgjidhje”: të shkonte në Bangkok dhe të merrte një valixhe për ta sjellë në Evropë.

Avokatja e tij kërkoi mëshirë nga gjykata, duke argumentuar se i riu fiton rreth 400 euro në muaj në Shqipëri dhe kishte pranuar ofertën nga nevoja ekonomike. Sipas saj, valixhja iu dorëzua vetëm pak para nisjes nga Tajlanda dhe ishte e mbyllur me çelës, çka sipas mbrojtjes e kishte bërë të pamundur kontrollin e përmbajtjes.

Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë argument dhe vendosi dënimin e kërkuar nga prokuroria: 40 muaj burg për trafikun e drogës.

Autoritetet theksojnë se fluturimet nga Tajlanda monitorohen gjithnjë e më shpesh, pasi pas liberalizimit të kanabisit në vend, rrjetet kriminale po përdorin “korrierë” për të transportuar sasi të mëdha droge drejt Evropës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit