Një operacion i gjerë kundër trafikut të kokainës në veri të Italisë u përmbyll me prangosjen e anëtarit të fundit të bandës. Shqiptari, i cili ishte fshehur në Spanjë për t'i shpëtuar drejtësisë, u arrestua në Barcelonë dhe u ekstradua drejt Italisë, ku u mor në dorëzim nga karabinierët.
Ai ishte personi i fundit i mbetur në liri nga 10 anëtarët e një organizate të mirëstrukturuar, e cila e kishte kthyer shpërndarjen e lëndëve narkotike në një shërbim të ngjashëm me "food delivery".
Porositë me kode në WhatsApp
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Padovës, porositë bëheshin përmes aplikacionit WhatsApp, duke përdorur kode si “më duhet pak e bardhë” ose “ke ndonjë të mirë?”, raportojnë mediat italiane. Shpërndarja bëhej me shpejtësi në pika strategjike: parkingje qendrash tregtare, stacione treni, fast-food-e, e deri në dërgesa direkte në banesat e klientëve.
Klientela dhe cilësia e lartë
Rrjeti kishte një shtrirje të gjerë shoqërore, me klientë që varionin nga studentë 19-vjeçarë deri te profesionistë në të 50-at dhe punëtorë të thjeshtë. Kokaina e shitur ishte e cilësisë së lartë, me një pastërti mbi 80%. Çmimi luhatjej nga 80 deri në 100 euro për gram, me oferta dhe ulje për blerjet në sasi të mëdha.
Zbulimi i "ndërmarrjes" së drogës
Hetimi nisi në mars të vitit 2024, pas një kontrolli rutinë ku policia ndaloi dy korrierë – një italian dhe një shqiptar – me 50 gramë kokainë secili. Ky arrestim shërbeu si fijë treguese për të zbuluar një rrjet që kishte qarkulluar rreth 5 kilogramë pluhur të bardhë, me një intensitet prej 30 deri në 40 transaksionesh në ditë në zonat e Padovës, Trevisos dhe Vicenzës.
Grupi ishte një përzierje kombësish, ku bënin pjesë shqiptarë, rumunë, italianë, një boshnjak dhe një marokene, secili me role të mirëpërcaktuara. Gjatë përgjimeve, ata përdornin numra të thjeshtë (1, 2 ose 3) për të treguar gramët e kërkuar.
Dënimet dhe sekuestrimet
Operacioni u finalizua edhe me sekuestrimin e makinave luksoze dhe llogarive bankare në vlerën e 80 mijë eurove. Kreu i dyshuar i grupit tashmë ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 4 vite burg, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë kanë marrë dënime që variojnë nga 2 deri në 3 vite e 9 muaj.
I arrestuari i fundit në Barcelonë pritet të dalë shumë shpejt para gjykatës italiane për t'u njohur me masën e dënimit.