Kali i dëmtuar u ther dhe mishi tij iu servir klientëve për mish viçi! Plas skandali në bashki

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.03.2026, 17:20

Pronari i një kali gare të dalë në pension, mishi i të cilit u përdor në një kuzhinë komunale në provincën jugore të Mersinit Turqi, është gjobitur me 132,108 lira turke (rreth 2,988 dollarë) për mosraportimin e dhurimit të kafshës tek autoritetet, sipas raportimeve të mediave lokale.

Rasti doli në dritë pasi një person që po hante në kuzhinën sociale të drejtuar nga bashkia e Mersinit u ankua pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, pasi gjeti një objekt të çuditshëm në një porcion “kavurma”, një pjatë që zakonisht përgatitet me mish viçi ose qengji të skuqur.

Hetuesit e ministrisë përcaktuan më vonë se objekti ishte një mikroçip elektronik identifikimi që i përkiste Smart Latch, një pelë angleze katërvjeçare e racës “thoroughbred”, e cila kishte fituar vendin e parë në gara të zhvilluara në hipodromin e qytetit të afërt të Adanas.

Analizat laboratorike të mostrës së ushqimit konfirmuan se pjata përmbante mish kali.

Detajet dolën në pah pas një përditësimi të ministrisë më 12 mars, ku thuhej se kavurma e përgatitur në kuzhinën sociale të bashkisë së Mersinit ishte shtuar në listën e produkteve të pasigurta, pasi testet treguan se përmbante mish nga një kafshë me një thundër, si kali, gomari ose mushka.

Autoritetet gjurmuan mishin deri te Smart Latch, e cila kishte garuar për herë të fundit në tetor 2025, përpara se të dilte "në pension" për shkak të një dëmtimi në këmbë.

Pronari i kalit, biznesmeni Suat Topçu, tha se kishte organizuar që kafsha të dhurohej në një klub kalërimi, duke përdorur një transportues lokal që e njihte, por nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur realisht me pelën deri në momentin kur u kontaktua nga ministria.

“U shkatërrova kur mësova se çfarë kishte ndodhur,” tha ai.

Autoritetet e gjobitën Topçun pasi nuk kishte njoftuar zyrtarisht institucionet për dhurimin e kalit, një procedurë e detyrueshme sipas rregulloreve në fuqi.

“Gjoba nuk është e rëndësishme; e rëndësishme është të gjenden ata që kanë kryer këtë mizori,” u shpreh ai.

Hetuesit besojnë se kali nuk arriti kurrë në klubin e kalërimit, por u dërgua për therje. Dyshohet se mishi i tij u etiketua në mënyrë të rreme si ‘mish viçi’ dhe më pas iu shit kompanisë që furnizon bashkinë.

Nga ana e saj, bashkia deklaroi se mishi i përdorur ishte siguruar në përputhje me rregullat dhe procedurat e kërkuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit